Lajme

Një muaj paraburgim për të miturin e dyshuar për vrasjen e kushëririt në Prizren

Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të miturit me inicialet A.O., i dyshuar për veprën penale “vrasje e rëndë” në bashkëkryerje, lidhur me rastin e vrasjes së kushëririt të tij në fshatin Kobaj të Prizrenit.

Sipas njoftimit të Gjykatës, paraburgimi ndaj të miturit do të zgjasë deri më 14 korrik 2026.

“Gjyqtarja për të mitur ka ardhur në përfundim se caktimi i masës së paraburgimit në këtë fazë është i bazuar në ligj dhe i arsyeshëm, dhe do të sigurojë zhvillimin e papenguar të procedurës përgatitore, si dhe prezencën e të miturit para institucioneve të drejtësisë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Ndërkohë, Gjykata ka bërë të ditur se gjatë ditës ka pranuar edhe kërkesat për caktimin e paraburgimit ndaj dy të dyshuarve të tjerë në këtë rast, nënës së të miturit dhe vëllait të tij.

Sipas kërkesës së Prokurorisë, për Sh.O., vëllain e të miturit, është kërkuar masa e paraburgimit nën dyshimin për bashkëkryerje në veprën penale të vrasjes së rëndë.

Po ashtu, kërkesë për paraburgim është paraqitur edhe ndaj A.O., nënës së dy të dyshuarve, për veprën penale “shtytje në vrasje të rëndë”.

“Kjo kërkesë do të trajtohet në Departamentin për Krime të Rënda dhe gjyqtarja e procedurës paraprake, brenda afatit ligjor, do të caktojë seancën dëgjimore për vendosjen lidhur me masën e sigurisë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.