Lajme

Murati: Janë ekzekutuar pagesat për punëtorët e sektorit privat, studentët ende në proces verifikimi

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka njoftuar se janë ekzekutuar pagesat për punëtorët e sektorit privat që kanë përmbushur kriteret për të përfituar nga mbështetja e njëhershme në kuadër të Pakos për Përballje me Inflacionin 2.0.

Përmes një postimi në Facebook, Murati tha se pagesat janë realizuar sipas afatit të paralajmëruar më herët.

“Pagesat për përfituesit që kanë plotësuar kriteret për mbështetje të njëhershme të punëtorëve të sektorit privat, në kuadër të Pakos për Përballje me Inflacionin 2.0, tashmë janë ekzekutuar, ashtu siç patëm paralajmëruar”, ka shkruar ai.

Sa i përket masës së mbështetjes për studentët, Murati bëri të ditur se procesi i vlerësimit ende është në zhvillim.

“Ndërkohë, për masën e mbështetjes së studentëve komisioni vlerësues po vijon punën dhe do t’ju njoftojmë sapo listat të jenë gati për ekzekutim”, ka deklaruar ministri.

Qeveria kishte njoftuar më herët se këto masa janë pjesë e Pakos për Përballje me Inflacionin 2.0, e cila synon të mbështesë kategori të ndryshme të qytetarëve përballë rritjes së kostos së jetesës.