Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) pritet ta përmbyllë gjatë mesjavës procesin e numërimit të fletëvotimeve nga votimi përmes postës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit.
Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili tha se pas përfundimit të këtij procesi do të nisë numërimi i votave me kusht dhe i votave të personave me nevoja të veçanta.
Sipas Elezit, gjatë fundjavës janë numëruar 80 nga gjithsej 223 kuti votimi ku janë sistemuar pakot e votimit me postë, që përbëjnë rreth 36 për qind të totalit.
“Bazuar në progresin aktual, synojmë që numërimi i të gjitha fletëvotimeve nga votimi përmes postës të përfundojë në mesjavë”, deklaroi Elezi.
Ai bëri të ditur se nga 85,790 pako të tërhequra nga kutitë postare të KQZ-së, në procesin e numërimit do të përfshihen 82,809 pako të aprovuara, ndërsa 2,981 janë refuzuar pasi nuk kanë kaluar procesin e verifikimit.
Sipas KQZ-së, shumica e pakove të refuzuara nuk kanë përmbajtur dëftesën e regjistrimit, dokument që dëshmon se pakoja është dërguar nga votuesi i regjistruar.
Pas përfundimit të numërimit të votave me postë, KQZ do të përgatisë procesin për numërimin e votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta.
Megjithatë, përmbyllja e këtyre proceseve nuk do të nënkuptojë shpalljen e menjëhershme të rezultateve përfundimtare.
Para certifikimit të rezultateve, KQZ do të zhvillojë edhe rinumërimin e deri në 10 për qind të vendvotimeve të rregullta, fletëvotimet e të cilave janë numëruar më herët në 38 Qendrat Komunale të Numërimit.
Ndërkohë, për të rritur transparencën dhe sigurinë e procesit, KQZ ka shtuar numrin e monitorëve në tavolinat e numërimit. Në secilën tavolinë, ku punojnë katër anëtarë të komisionit, tashmë janë vendosur dy monitorë, krahasuar me një që ishte në zgjedhjet e kaluara.



