Lajme

Vrasja në Prizren: Prokuroria kërkon paraburgim për dy vëllezër dhe nënën e tyre

Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar nga Gjykata Themelore caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji ndaj tre të dyshuarve për rastin e vrasjes që ndodhi të dielën në fshatin Kobaj të Prizrenit.

Sipas kërkesës së Prokurorisë, paraburgimi është kërkuar për të dyshuarin Sh.O., për vëllain e tij të mitur, të dyshuar për veprën penale “Vrasje e rëndë”, si dhe për nënën e tyre me inicialet A.O., e cila dyshohet për veprën penale “Shtytje në vrasje të rëndë”.

Sipas Prokurorisë, ngjarja ka ndodhur më 14 qershor 2026, pas një konflikti të mëhershëm mes palëve lidhur me emërtimin e një rruge në lagjen ku jetonin.

“Pas një konflikti verbal dhe më pas fizik me viktimat A.O. dhe I.O., të dyshuarit dyshohet se kanë përdorur mjete të mprehta – thika, me të cilat i kanë sulmuar dhe goditur viktimat”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Si pasojë e plagëve të marra në pjesën e gjoksit, viktima A.O. ka humbur jetën, ndërsa I.O. ka pësuar lëndime të rënda trupore, të rrezikshme për jetën, dhe është dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Prizrenit.

Prokuroria ka bërë të ditur se hetimet për rastin janë duke vazhduar, ndërsa ka ritheksuar përkushtimin për luftimin e kriminalitetit dhe sjelljen para drejtësisë të personave që bien ndesh me ligjin.