Kryetarja e Partia Guxo, Donika Gërvalla-Schwarz, ka deklaruar se bisedimet për koalicione të mundshme qeverisëse do të zhvillohen vetëm pas certifikimit të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit.
Gërvalla, e cila njëherësh ushtron detyrën e zëvendëskryeministres dhe është pjesë e koalicionit parazgjedhor me Lëvizja Vetëvendosje, tha se është optimiste se vendi nuk do të përballet sërish me bllokada institucionale.
“Nuk i kemi ende rezultatet përfundimtare. Kur t’i kemi rezultatet e certifikuara do të shohim se cilat janë mundësitë që na ofrohen. Shpresoj që nuk do të ballafaqohemi edhe njëherë me bllokada të pakuptimta dhe me bllokim të institucioneve të shtetit”, tha Gërvalla.
Ajo rikujtoi se, sipas saj, koalicioni fitues kishte ofruar bashkëpunim edhe para zgjedhjeve, por ofertat ishin refuzuar nga partitë e tjera.
“Shpresoj që mandati i fuqishëm i qytetarëve këtë herë të respektohet”, theksoi ajo.
Duke folur për mundësinë e koalicioneve të reja, Gërvalla tha se aktualisht nuk ka diskutime për vija të kuqe apo marrëveshje politike.
“Nuk diskutojmë as për vija të kuqe dhe as për koalicione para se të kemi rezultatin e certifikuar. Duhet ta dimë saktësisht cili është mesazhi i qytetarëve”, deklaroi ajo.
Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, Vetëvendosje mbetet subjekti i parë politik me 45.25 për qind të votave ose 339,348 vota, që aktualisht i sigurojnë 51 mandate në Kuvend. Pas saj renditen PDK me 23 mandate, LDK me 19 mandate dhe AAK me 7 mandate.



