Lajme

KQZ: Janë numëruar 35.87% e votave me postë, mbi 82 mijë pako u aprovuan

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar për progresin e procesit të numërimit të fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës, përkatësisht atyre të ardhura përmes postës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se deri më 15 qershor 2026, në orën 09:00, janë numëruar 80 nga gjithsej 223 kuti votimi, që përbëjnë 35.87 për qind të procesit të përgjithshëm.

Sipas tij, në këto kuti janë sistemuar zarfet me fletëvotime pasi kanë kaluar procesin e verifikimit dhe aprovimit nga shërbimi votues i KQZ-së.

“Deri më tani janë numëruar 80 nga 223 kuti votimi (35.87%), në të cilat janë vendosur zarfet me fletëvotime pas aprovimit të tyre nga shërbimi votues i KQZ-së”, ka deklaruar Elezi.

KQZ-ja ka bërë të ditur se të dielën është përmbyllur procesi i vlerësimit të 85,790 pakove të supozuara me fletëvotime. Prej tyre, 82,809 janë aprovuar, ndërsa 2,981 janë refuzuar.

Këto pako janë pranuar nga kutitë postare të KQZ-së në 22 shtete të ndryshme, si dhe nga kutia postare e Komisionit në Kosovë.

Ndërkaq, pas përfundimit të numërimit të votave me postë, KQZ do të nisë procesin e numërimit të votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta.

Sipas të dhënave zyrtare, në 52 vendvotime me kusht janë evidentuar 8,751 votues, ndërsa për votimin përmes ekipeve mobile të personave me nevoja të veçanta janë regjistruar 3,144 votues.