Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në fshatin Kobaj të Prizrenit, ku një 27-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra nga një mjet i mprehtë gjatë një përleshjeje mes dy familjeve.
Nga i njëjti incident ka mbetur i plagosur rëndë edhe babai i viktimës, një 57-vjeçar, i cili po trajtohet në spital.
Mjeku kujdestar në Emergjencën e Prizrenit, Kujtim Kryeziu, ka bërë të ditur se i riu kishte pësuar lëndime fatale në pjesën e gjoksit, të cilat rezultuan të pakalueshme.
“Rreth orës 12:00 pacienti erdhi së bashku me prindin. Viktima kishte një lëndim fatal në regjionin e gjoksit, ku dyshohet se ishte prekur zemra. Reanimimi ishte i pamundur dhe u konstatua vdekja e tij”, tha Kryeziu.
Ndërkaq, sipas tij, 57-vjeçari kishte pësuar lëndime në anën e majtë të gjoksit, por pa prekur organet vitale.
“Pacienti tjetër, rreth 57 vjeç, ka marrë lëndime në gjoks, por zemra nuk është prekur. Ai është pranuar për trajtim në repartin e Kirurgjisë dhe gjendja e tij aktualisht është stabile pas intervenimit kirurgjik”, shtoi mjeku.
Policia dhe organet e hetuesisë janë duke u marrë me rastin për të sqaruar rrethanat që çuan në përleshjen tragjike.



