Problemi i qenve endacakë vazhdon të mbetet një sfidë serioze për komunat e Kosovës, ndërsa organizatat vendore dhe ndërkombëtare po kërkojnë zgjidhje afatgjata përmes sterilizimit dhe vaksinimit të tyre.
Organizata “Animal of Kosovo” ka bërë të ditur se deri më tani ka sterilizuar rreth 4,500 qen endacakë në mbarë vendin, me qëllim të parandalimit të shtimit të numrit të tyre dhe menaxhimit human të kësaj problematike.
Drejtori i organizatës, Sadri Sopi, tha se fokusi kryesor i aktiviteteve ka qenë në mbeturinoren e Pejës, e njohur si një nga zonat me numrin më të madh të qenve endacakë në Kosovë.
Sipas tij, organizata ka kontaktuar të gjitha 38 komunat e vendit për bashkëpunim, por deri tani vetëm Komuna e Shtimes ka ofruar mbështetje konkrete, ndërsa bisedimet po vazhdojnë me Mitrovicën, Drenasin dhe Podujevën.
“Deri më tani kemi sterilizuar afër 4 mijë e 500 qen. Qëllimi ynë është të parandalojmë rritjen e numrit të qenve endacakë dhe të ofrojmë një zgjidhje humane për këtë problem”, tha Sopi.
Ndërkohë, organizata holandeze “House of Animals” ka siguruar financimin për sterilizimin e 1,000 qenve të tjerë në Kosovë, projekt që kap vlerën e 50 mijë eurove.
Ambasadori i “Animals of Kosovo”, Piet Hellenans, tha se zgjidhja e problemit kërkon bashkëpunim të ngushtë ndërmjet institucioneve dhe organizatave, duke theksuar se përmirësimi i situatës do të ndikojë pozitivisht në shëndetin publik, turizëm dhe reputacionin e Kosovës në rrugën drejt integrimit evropian.



