Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar se pesë persona janë arrestuar gjatë një operacioni policor të zhvilluar në kuadër të hetimeve për rastin e njohur si “Reçaku II”.
Sipas njoftimit, aksioni është realizuar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ndërsa gjatë operacionit janë ekzekutuar urdhër-kontrolle në disa lokacione.
“Operacioni policor, në kuadër të hetimeve që Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës është duke i zhvilluar në rastin e njohur si ‘Reçaku II’, së bashku me Policinë e Kosovës, ka rezultuar me pesë persona të arrestuar”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje shtesë lidhur me identitetin e të arrestuarve apo veprat penale për të cilat po zhvillohen hetimet.
Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se së bashku me Policinë e Kosovës do të mbajë konferencë për media, ku pritet të publikohen informacione të reja lidhur me operacionin.
Konferenca për media është paralajmëruar të mbahet në orën 13:00.



