Lajme

Numërimi i votave me postë: Vetëvendosje siguron mandatin e 51-të, AAK bie në 7 deputetë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka publikuar përditësimin më të ri nga procesi i numërimit të votave me postë, duke sjellë ndryshime në ndarjen e mandateve parlamentare.

Sipas të dhënave të publikuara në orën 22:41, Lëvizja Vetëvendosje ka arritur të sigurojë mandatin e 51-të në Kuvendin e Kosovës, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka humbur një ulëse dhe aktualisht llogaritet me shtatë deputetë.

Deri në këtë fazë janë numëruar 19.23 për qind e votave me postë.

Rezultatet e deritanishme tregojnë se:

  • Lëvizja Vetëvendosje (LVV) – 7,402 vota
  • Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) – 1,808 vota
  • Partia Demokratike e Kosovës (PDK) – 722 vota
  • Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) – 501 vota

Votat me postë po rezultojnë të favorshme për Vetëvendosjen, e cila me trendin aktual ka arritur të shtojë edhe një mandat në përbërjen e Kuvendit.

Megjithatë, procesi i numërimit është ende në zhvillim dhe ndarja përfundimtare e mandateve mund të pësojë ndryshime deri në përmbylljen e plotë të numërimit dhe certifikimin e rezultateve nga KQZ-ja.