Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Mërgim Lushtaku, ka deklaruar se Partia Demokratike e Kosovës nuk duhet të hyjë në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje për formimin e qeverisë së re.
Në një prononcim për KosovaPress, Lushtaku tha se deklaratat e liderit të LVV-së, Albin Kurti, nuk duhet të merren seriozisht, duke e akuzuar atë se interesin partiak e vendos para interesit shtetëror.
“Për të më e rëndësishme është partia politike, Vetëvendosja, sesa vet shteti i Kosovës. Ky ishte në gjendje që tri herë radhazi ta dërgojë vendin në zgjedhje sesa të bëjë kompromis për të mirën e vendit”, ka thënë Lushtaku.
Sipas tij, Kurti ka krijuar përçarje në skenën politike dhe nuk ka treguar gatishmëri për bashkëpunim institucional.
Lushtaku u shpreh se PDK-ja duhet të qëndrojë pranë elektoratit të saj dhe të mos negociojë me Vetëvendosjen për asnjë pozitë në qeverinë e ardhshme.
“Personalisht besoj që PDK-ja nuk duhet të jetë e gatshme të shkojë në koalicion me Vetëvendosjen dhe të mos diskutojë për asnjë pozitë në këto rrethana”, deklaroi ai.
Ai shtoi se nuk përjashton mundësinë e zgjedhjeve të reja, duke argumentuar se mbështetja për Vetëvendosjen ka rënë krahasuar me zgjedhjet e kaluara.
Ndërkohë, Lushtaku bëri të ditur se deri më tani nuk ka pasur kontakte zyrtare mes PDK-së dhe partive të tjera opozitare, përfshirë LDK-në dhe AAK-në, për shkak se ende po pritet certifikimi i rezultateve zgjedhore.
Nga ana tjetër, zyrtarë të LDK-së kanë deklaruar se qëndrimet e tyre për formimin e institucioneve do të bëhen publike pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit.



