Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se procesi i numërimit të votave ende nuk ka përfunduar, duke theksuar se vetëm pas përmbylljes së tij do të mund të nisin diskutimet konkrete për formimin e institucioneve të reja.
Kurti tha se aktualisht votat vazhdojnë të numërohen dhe se rezultatet përfundimtare do të përcaktojnë hapat e ardhshëm politikë.
“Jemi ende duke pritur numërimin e votave. Votat janë ende duke ardhur dhe duke u numëruar. Me rastin e përmbylljes së numërimit të votave ne do të mund të fillojmë të bisedojmë për hapat e ardhshëm”, deklaroi ai.
Ai ritheksoi se Lëvizja Vetëvendosje, së bashku me partnerët e koalicionit parazgjedhor, ka dalë fituese e zgjedhjeve dhe do të jetë bartëse e procesit të formimit të institucioneve të legjislaturës së 11-të.
“Duhet ta keni parasysh atë që është evidente përsëri, që Lëvizja Vetëvendosje është fituese e padiskutueshme bashkë me partnerët tanë të koalicionit parazgjedhor. Ne do të jemi bartës të themelimit të institucioneve të legjislaturës së 11-të”, tha Kurti.
Kreu i ekzekutivit në detyrë u shpreh optimist se procesi i konstituimit të Kuvendit dhe formimit të qeverisë së re do të zhvillohet pa pengesa.
“Unë jam optimist që gjërat do të shkojnë mbarë e mirë edhe sa i përket konstituimit të Kuvendit edhe sa i përket formimit të Qeverisë”, u shpreh ai.
Duke folur për zgjedhjen e presidentit ose presidentes së ardhshme, Kurti theksoi se ky proces kërkon bashkëpunim me partitë opozitare për shkak të kërkesave kushtetuese.
“Sa i përket zgjedhjes së presidentit, ju e dini që këtë duhet bërë në bashkëpunim me opozitën për shkak të asaj kërkese të një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese para më shumë se një dekade, që kërkohen 80 deputetë t’i kenë votat e tyre të fshehta në kuti”, deklaroi ai.
Kurti tha se Vetëvendosje mbetet e hapur për komunikim dhe bashkëpunim me subjektet e tjera politike, duke rikujtuar se edhe në të kaluarën kishte propozuar takime dhe forma të bashkëqeverisjes.
“Jemi të gatshëm, jemi të vullnetshëm, jemi të interesuar për komunikim dhe bashkëpunim. Ne kemi bërë oferta të jashtëzakonshme për opozitën, por ne kemi propozuar e ata kanë refuzuar. Shpresojmë që kësaj radhe do të jetë ndryshe”, tha Kurti.



