Lajme

Murati: Pagesat prej 100 eurosh për sektorin privat ekzekutohen të hënën

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka njoftuar se pagesat prej 100 eurosh për punëtorët e sektorit privat do të ekzekutohen të hënën e javës së ardhshme.

Përmes një postimi në Facebook, Murati bëri të ditur se komisionet vlerësuese kanë nisur punën që në fillim të kësaj jave për shqyrtimin e aplikimeve në kuadër të Pakos për Përballje me Inflacionin 2.0.

Sipas tij, procesi i verifikimit për masën e dedikuar punëtorëve të sektorit privat është drejt përfundimit dhe pagesat pritet të realizohen në fillim të javës së ardhshme.

“Puna e komisionit për masën e sektorit privat është drejt përfundimit dhe ekzekutimi i pagesave pritet të bëhet në fillim të javës që vjen, pra të hënën”, ka shkruar Murati.

Ai ka folur edhe për masën e mbështetjes për studentët, duke bërë të ditur se komisioni përkatës është në pritje të konfirmimeve nga institucionet e arsimit të lartë për studentët që kanë aplikuar.

“Komisioni për masën e studentëve do ta përfundojë punën sapo të ketë marrë konfirmimet përkatëse nga institucionet e arsimit të lartë, për studentët që kanë aplikuar. Edhe për këtë do t’ju njoftojmë me kohë sapo listat për pagesa të jenë gati për ekzekutim”, tha ai.

Paketa për Përballje me Inflacionin 2.0, e miratuar nga Qeveria në detyrë, parasheh mbështetje financiare prej 100 eurosh për kategori të ndryshme të qytetarëve, përfshirë punëtorët e sektorit privat, studentët, pensionistët dhe familjet përfituese.