Anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe kandidati për deputet, Xhavit Haliti, ka deklaruar se partia e tij nuk ka vija të kuqe ndaj asnjë subjekti politik kur bëhet fjalë për ndërtimin e institucioneve të reja të Kosovës.
Haliti tha se PDK-ja është e gatshme të ulet në tavolinën e bisedimeve me të gjitha partitë parlamentare për të diskutuar formimin e qeverisë, zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe presidentit të vendit.
“Ne nuk kemi vija të kuqe ndaj askujt për të ndërtuar institucionet. E dimë përgjegjësinë që kemi dhe kjo varet shumë nga qëndrimi që do të mbajë LVV-ja, nga mënyra se si e mendon zgjedhjen e presidentit dhe ndërtimin e qeverisë”, ka deklaruar Haliti për RTV21.
Sipas tij, formimi i institucioneve nuk mund të bëhet pa një marrëveshje të gjerë politike që do të përfshinte edhe çështjen e presidentit.
“PDK-ja është e gatshme të ulet së bashku me partitë e tjera për të negociuar dhe diskutuar se çfarë presidenti i duhet vendit. Një president që e përfaqëson Kosovën denjësisht dhe jo një president kukull”, u shpreh ai.
Haliti theksoi se Vetëvendosje nuk mund t’i formojë e vetme institucionet dhe duhet të përcaktojë qartë partnerët e saj të mundshëm të koalicionit.
Ai nuk përjashtoi as mundësinë e krijimit të një shumice parlamentare pa përfshirjen e Lëvizjes Vetëvendosje, nëse rezultatet përfundimtare mbesin afërsisht në nivelin aktual.
“Ekziston edhe mundësia për arritjen e një koalicioni më të madh pa LVV-në, nëse ajo mbetet me këta numra që ka aktualisht”, tha Haliti.
Duke folur për postin e presidentit, ai vlerësoi se në rrethanat aktuale politike do të ishte e natyrshme që kreu i shtetit të zgjidhej nga radhët e opozitës.
“Normalisht do të ishte që presidenti të vijë nga opozita”, deklaroi Haliti.
Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur skena politike po pret përfundimin e procesit zgjedhor dhe nisjen e negociatave për formimin e institucioneve të reja të Kosovës.



