Lajme

Trump: Kam anuluar sulmet ndaj Iranit, marrëveshja është afër finalizimit

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka njoftuar se ka anuluar sulmet dhe bombardimet e planifikuara ndaj Iranit, duke deklaruar se bisedimet me Republikën Islamike kanë arritur progres të rëndësishëm dhe kanë marrë miratimin e nivelit më të lartë të udhëheqjes iraniane.

Përmes një postimi në rrjetin social Truth Social, Trump tha se, në cilësinë e presidentit të SHBA-së, ka vendosur të pezullojë operacionet ushtarake që sipas tij ishin planifikuar për mbrëmjen e së enjtes.

Ai theksoi se negociatat kanë avancuar ndjeshëm dhe se pikat kryesore të marrëveshjes janë miratuar në parim dhe në detaje nga palët e përfshira.

Sipas Trumpit, përveç SHBA-së dhe Iranit, në proces janë përfshirë edhe shtete të tjera, përfshirë Izraelin, Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katarin, Turqinë, Pakistanin, Bahreinin, Kuvajtin, Jordaninë dhe Egjiptin.

Presidenti amerikan shtoi se bllokada detare do të mbetet në fuqi deri në finalizimin e plotë të marrëveshjes, ndërsa detajet për kohën dhe vendin e nënshkrimit do të bëhen publike në ditët në vijim.

Deklarata e Trumpit vjen në një periudhë tensionesh të larta në Lindjen e Mesme, ndërsa komuniteti ndërkombëtar po ndjek nga afër zhvillimet mes Uashingtonit dhe Teheranit.