Një incident i rëndë ka ndodhur sot në fshatin Pagarushë të Malishevës, ku një autobus është sulmuar me armë zjarri.
Lajmin e ka konfirmuar për Gazetën Express zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Vlera Krasniqi, e cila bëri të ditur se rasti është raportuar rreth orës 12:10.
“Sot, rreth orës 12:10, është pranuar një informacion lidhur me një sulm me armë zjarri në drejtim të një autobusi në fshatin Pagarushë të Malishevës, me ç’rast njësitë përkatëse policore kanë reaguar menjëherë duke dalë në vendin e ngjarjes”, ka njoftuar Policia.
Sipas autoriteteve, pas veprimeve hetimore dhe operacionale, i dyshuari është identifikuar dhe arrestuar, ndërsa me urdhër të prokurorit të shtetit është ndaluar për 48 orë.
Po ashtu, Policia ka bërë të ditur se gjatë aksionit është sekuestruar një armë zjarri e llojit AK-47, e cila dyshohet të jetë përdorur në incident.
Fatmirësisht, nga sulmi nuk është raportuar për persona të lënduar.
Rasti është iniciuar si “Vrasje e rëndë në tentativë”, ndërsa hetimet po vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motiveve të ngjarjes.



