Në kuadër të shënimit të Ditës së Çlirimit të Prishtinës, veteranë dhe ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) kanë marshuar nëpër sheshet e kryeqytetit, duke nderuar sakrificën e luftës çlirimtare dhe duke kërkuar lirimin e ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Të veshur me uniformat e UÇK-së, pjesëmarrësit thanë se lufta çlirimtare e Kosovës ishte e drejtë dhe se ish-drejtuesit e saj po përballen padrejtësisht me procesin gjyqësor.
Veterani invalid i luftës, Asllan Doshi, i njohur si Zëvendës Komandant Togu, tha se marshi ishte një shenjë respekti për veteranët, invalidët dhe dëshmorët e luftës.
“Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë luftë e drejtë. Kemi respekt për veteranët, invalidët dhe për të gjithë ata që kontribuuan për çlirimin. Besojmë se lirimi i tyre duhet të jetë i menjëhershëm, sepse po gjykohet padrejtësisht lufta jonë çlirimtare”, deklaroi ai.
Edhe veterani Hajzer Bistrica kujtoi angazhimin e tij gjatë luftës, duke theksuar se ka qenë pjesë e UÇK-së që nga ditët e para e deri në çlirimin e Kosovës.
Ai tha se ndihet krenar që është dëshmitar i gjallë i sakrificës së luftës dhe shprehu shpresën që ish-krerët e UÇK-së të kthehen sa më shpejt në Kosovë.
“Presim sa më shpejt që të vijnë në mesin tonë. Ata janë kupola e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, u shpreh Bistrica.
Komandanti i Zonës së Pestë Operative Llap-Gollak, Islam Kelmendi, tha se uniforma e UÇK-së mbetet simbol i krenarisë dhe sakrificës për të gjithë luftëtarët.
Sipas tij, çdo paraqitje me uniformën e luftës zgjon emocione të veçanta dhe kujton periudhën e rezistencës për liri.
Në aktivitet mori pjesë edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili falënderoi veteranët për pjesëmarrjen dhe vlerësoi kontributin e tyre në çlirimin e vendit.
“Kemi bërë një marsh në shenjë përkujtimi të sakrificës së madhe, të vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të secilit dëshmor e familje që ka sakrifikuar për lirinë që gëzojmë sot. Urime 11 Qershori, Dita e Çlirimit të kryeqytetit”, deklaroi Rama.
Marshi u organizua si pjesë e aktiviteteve për shënimin e 11 Qershorit, Ditës së Çlirimit të Prishtinës, duke mbledhur veteranë, qytetarë dhe përfaqësues institucionalë në nderim të luftës çlirimtare.



