Lajme

Daniel Serwer: Kosova duhet të vendosë vetë për projektin e gazit amerikan, ndoshta SHBA-ja duhet ta përmirësojë ofertën

Profesori dhe analisti amerikan, Daniel Serwer, ka deklaruar se vendimi për t’iu bashkuar projektit amerikan të gazit natyror të lëngshëm (LNG) duhet të merret nga institucionet e Kosovës, duke vlerësuar se në këtë çështje duhet të merren parasysh si aspektet politike ashtu edhe ato ekonomike e teknike.

Në një intervistë për Gazetën Express, Serwer ka thënë se projekti nuk mund të shihet vetëm nga prizmi politik apo strategjik, pasi bëhet fjalë për një investim të madh dhe me kosto të konsiderueshme.

“Nuk mund ta bësh këtë. Kjo do të ishte një sipërmarrje e madhe dhe e kushtueshme. Si dimensioni politik dhe ai i sigurisë energjetike, ashtu edhe dimensioni ekonomik dhe teknik duhet të përputhen me nevojat dhe dëshirat e Kosovës”, ka deklaruar ai.

Sipas Serwerit, nëse alternativat e mundshme do të kishin kosto dhe fizibilitet të ngjashëm, ai do të preferonte përdorimin e LNG-së amerikane. Megjithatë, ai theksoi se nuk është në pozitë të vlerësojë teknikisht opsionet e ndryshme energjetike që ka në dispozicion Kosova.

“Ky është një vendim që duhet ta marrë qeveria e një Kosove sovrane dhe të pavarur, jo unë apo i Ngarkuari i Ambasadës Amerikane”, u shpreh ai.

Duke komentuar qëndrimin e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, se Kosova mund të lidhet me terminalin e gazit në Vlorë dhe prej andej të sigurojë energji elektrike, Serwer tha se Kurti tashmë e ka bërë të qartë pozicionin e tij.

“Ai e ka bërë të qartë pikëpamjen e tij. Ndoshta SHBA-të duhet ta përmirësojnë ofertën e tyre”, deklaroi analisti amerikan.

Debati për projektin e gazit amerikan është intensifikuar pas thirrjeve të zyrtarëve amerikanë që Kosova të bëhet pjesë e iniciativës energjetike rajonale, ndërsa institucionet kosovare vazhdojnë të shqyrtojnë opsionet më të favorshme për sigurinë energjetike dhe zhvillimin ekonomik të vendit.