Një person është arrestuar në Skenderaj nën dyshimin për kryerjen e veprës penale të dhunimit ndaj një vajze të mitur.
Sipas raportit të Policisë së Kosovës, rasti dyshohet të ketë ndodhur në orët e hershme të 7 qershorit 2026, ndërsa i dyshuari është arrestuar më 10 qershor.
Policia ka bërë të ditur se pas inicimit të rastit dhe me vendim të prokurorit kompetent, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar për shkak se dyshohet se ka kryer veprën penale ndaj viktimës femër kosovare. I dyshuari, pas inicimit të rastit, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin policor.
Lidhur me rastin ka folur edhe zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni, i cili ka konfirmuar se viktima është e mitur dhe se ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
“Po, vajza është e mitur. Personi i dyshuar është ndaluar për 48 orë. Rasti është duke u hetuar”, ka deklaruar Preteni.
Për shkak të ndjeshmërisë së rastit dhe mbrojtjes së identitetit të viktimës së mitur, autoritetet nuk kanë bërë publike detaje të tjera. Hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë në vazhdim.



