Lajme

KQZ proceson 65% të votave: Kurti kryeson bindshëm, Hamza më i votuari në PDK, Osmani në LDK

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka procesuar 65.01 për qind të votave për kandidatët për deputetë, duke ofruar një pasqyrë më të qartë të garës zgjedhore dhe mbështetjes për subjektet politike dhe kandidatët kryesorë.

Sipas të dhënave të fundit, nga numërimi i 1,624 vendvotimeve, Lëvizja Vetëvendosje (VV) prin me 41.37 për qind të votave ose 186,716 vota. Pas saj renditet Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 21.11 për qind apo 95,253 vota, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 16.45 për qind ose 74,250 vota, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka siguruar 7.24 për qind apo 32,684 vota.

Në listën e kandidatëve më të votuar të VV-së, kryeson Albin Kurti me 153,542 vota, i ndjekur nga Glauk Konjufca me 120,652 vota dhe Albulena Haxhiu me 69,778 vota.

Në PDK, kandidati më i votuar është Bedri Hamza me 76,572 vota. Pas tij renditen Përparim Gruda me 47,889 vota dhe Arian Tahiri me 41,543 vota.

Në LDK, më e votuara vazhdon të jetë Vjosa Osmani Sadriu me 50,792 vota, ndërsa Lumir Abdixhiku ka marrë 46,114 vota. Në vendin e tretë renditet Doarsa Kica-Xhelili me 35,536 vota.

Ndërkohë, në AAK prin Ardian Gjini me 26,436 vota, i ndjekur nga Ramush Haradinaj me 23,815 vota dhe Daut Haradinaj me 18,322 vota.

Procesi i numërimit po vazhdon, ndërsa rezultatet mbeten preliminare deri në përfundimin e numërimit të të gjitha vendvotimeve dhe certifikimin zyrtar të rezultateve nga KQZ-ja.