Lajme

Prokuroria Speciale ngre aktakuzë ndaj gjashtë personave për barrikadat në veri, pezullohen hetimet ndaj Radojiçiqit dhe të tjerëve

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë personave të dyshuar për përfshirje në vendosjen e barrikadave në veri të vendit gjatë dhjetorit të vitit 2022.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, të pandehurit D.M., D.D., M.R., N.J., N.O. dhe S.V. akuzohen për veprat penale “Bashkim për veprimtari kundërkushtetuese me qëllim të sulmit kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës” dhe “Pengim i personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare”.

Aktakuza pretendon se nga 10 deri më 29 dhjetor 2022, në komunat veriore të Kosovës, të akuzuarit kanë vepruar në bashkëkryerje dhe përmes përdorimit të forcës e dhunës kanë penguar institucionet shtetërore në ushtrimin e autoritetit dhe vendosjen e rendit kushtetues.

Sipas Prokurorisë, grupi kishte bllokuar rrugët kryesore me mjete të rënda, përfshirë kamionë të mbushur me zhavorr, ekskavatorë, autoambulanca, autobusë dhe automjete të tjera.

“Po ashtu, nga veprimet e tyre rezulton se, në rast të ndërhyrjes së Policisë së Kosovës për largimin e barrikadave dhe rivendosjen e lirisë së lëvizjes, pjesëtarët e grupit kanë qenë të gatshëm t’i sulmonin zyrtarët policorë me mjetet që kishin në dispozicion”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë Speciale.

Ndërkohë, Prokuroria ka njoftuar se hetimet janë pezulluar për disa persona të tjerë të dyshuar, për shkak se ata vazhdojnë të jenë të paarritshëm për organet e drejtësisë.

Në mesin e tyre përmendet edhe Milan Radojičić, si dhe persona të tjerë të identifikuar me iniciale, ndaj të cilëve procedurat hetimore mbeten të pezulluara deri në sigurimin e pranisë së tyre para organeve kompetente.