Lajme

Europol: Bisedat e enkriptuara zbuluan rrjetin kriminal kosovar me pasuri prej 80 milionë eurosh

Europol ka publikuar detaje të reja lidhur me operacionin e koduar “White Star”, i cili u zhvillua në Kosovë me mbështetjen e autoriteteve të Belgjikës, Francës dhe Holandës.

Sipas Europolit, komunikimet e enkriptuara në platformën SKY ECC zbuluan një rrjet të organizuar kriminal me bazë në Kosovë, i përfshirë në trafikim ndërkombëtar të narkotikëve, përdorim të dokumenteve të falsifikuara, posedim të paligjshëm të armëve dhe pastrim parash në disa shtete evropiane.

Hetimi trevjeçar kulmoi më 9 qershor me arrestimin e pesë personave në Kosovë, ndërsa rreth 150 zyrtarë të zbatimit të ligjit morën pjesë në aksion.

Sipas raportit, grupi kriminal përdorte komunikime të enkriptuara për të koordinuar trafikun e drogës në Evropë, ndërsa qendrën operative e kishte në Kosovë, prej nga menaxhoheshin aktivitetet kriminale dhe fitimet e paligjshme.

Europol bën të ditur se gjatë hetimeve janë identifikuar 42 të dyshuar, janë kontrolluar 76 lokacione dhe janë sekuestruar pasuri me vlerë të vlerësuar prej 80 milionë eurosh.

Operacioni u realizua në kuadër të Task Forcës Operative LIMIT, e cila bashkon autoritetet ligjzbatuese nga Belgjika, Franca, Kosova dhe Holanda, me mbështetjen e Europolit.

Sipas Europolit, analiza e komunikimeve të enkriptuara dhe bashkëpunimi ndërkombëtar kanë qenë kyçe për identifikimin e anëtarëve të rrjetit dhe gjurmimin e rrjedhave financiare të lidhura me aktivitetet kriminale.