Numërimi i votave po sjell surpriza të mëdha dhe “ethe” brenda listës së Lëvizjes Vetëvendosje. Derisa procesi po vazhdon, disa prej figurave më të përfolura dhe deputetëve të legjislaturave të kaluara po e shohin veten në zonën e rrezikut ose plotësisht jashtë Parlamentit.
Deri më tani janë numëruar 36.31% të votave, dhe trendi aktual tregon se gara është bërë tejet e egër.
Bahtiri dhe Abrashi në “fije të perit”
Ish-kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, aktualisht ndodhet në fundin e listës së atyre që arrijnë të sigurojnë ulëse. Ai renditet i 49-ti në parti me 4,657 vota.
Asgjë më mirë nuk i ka punët as deputeti shumëvjeçar, Artan Abrashi. Ai po ndjek hap pas hapi Bahtirin, duke u renditur i 50-ti me vetëm 5 vota më pak (4,652 vota), gjë që ia rrezikon seriozisht rizgjedhjen.
Emrat e njohur që po “shkrihen” dhe po mbesin jashtë
Për disa të tjerë, shpresat për të qenë pjesë e Kuvendit pothuajse janë shuar:
- Fatos Geci: Deputeti i cili u bë i njohur për deklaratat e tij të forta ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ka pësuar një rënie drastike. Ai ka mbledhur vetëm 2,895 vota, duke u renditur i 85-ti.
- Enver Dugolli: Ish-deputeti i LVV-së po ashtu duket se do të mbetet jashtë, pasi ka siguruar vetëm 2,978 vota (i 83-ti).
- Bylbyl Sokoli: Trajneri i njohur i futbollit, i cili në dy legjislaturat e fundit ishte pjesë e Kuvendit, këtë herë nuk po ia del. Ai mban vendin e 64-të me 3,853 vota.
- Egzon Azemi: Pjesë e legjislaturës së fundit, Azemi po ashtu ka gjasa minimale me vetëm 3,522 vota (në vendin e 72-të).
Ky është vetëm rezultati i parë i bazuar në mbi një të tretën e votave të numëruara, por mesazhi i sovranit për këta kandidatë tashmë është mjaft i qartë. Gara mbetet e hapur deri në votën e fundit!



