Kosova ka në dispozicion plot 880 milionë euro nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, por ky fond gjigant nuk vjen pa kushte. Ushtruesja e detyrës së shefes së zyrës së BE-së në Kosovë, Eva Palatova, ka lëshuar një alarm të qartë: Koha po skadon dhe Kosovës i duhet urgjentisht përshpejtim i reformave dhe funksionalizim i institucioneve.
Gjatë një diskutimi të nivelit të lartë për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme (NVM), Palatova kujtoi se agjenda e reformave u miratua në fund të vitit 2024, ndërsa tani (në verën e vitit 2026) po mbyllet periudha e parë e tolerancës ku do të maten rezultatet zyrtare. Fondi 3-vjeçar synon shtatë reforma kryesore dhe 26 hapa për sektorin privat, por gjithçka varet nga stabiliteti politik.
“Shpresojmë shumë që institucionet politike të Kosovës së shpejti do të bëhen plotësisht funksionale në mënyrë që Kosova të përfitojë plotësisht nga ky potencial”, deklaroi Palatova.
OECD ndryshon rregullat e lojës: Vjen “Revolucioni” Digjital dhe i Gjelbër
Nga ana tjetër, Marzena Kisielewska, Kryetare e Divizionit të Evropës Juglindore të OECD-së, bëri të ditur se vlerësimi për bizneset në rajon ka pësuar një ndryshim “revolucionar”.
Ndryshe nga vitet e kaluara, tashmë vlerësimi do të bazohet në standarde strikte evropiane (Akti i Biznesit të Vogël për Evropën) duke përfshirë dy dimensione kritike:
- Tranzicionin digjital të NVM-ve.
- Tranzicionin e gjelbër dhe qëndrueshmërinë ekonomike.
Qeveria zotohet për transformim
I pranishëm në këtë lansim, Zëvendësministri i Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Jeton Mehmeti, e vlerësoi raportin e OECD-së si një udhërrëfyes jetik për ekonominë e vendit.
Mehmeti potencoi se ministria mbetet plotësisht e përkushtuar për të harmonizuar politikat kosovare me standardet e BE-së dhe OECD-së, duke synuar ndërtimin e një ekonomie konkurruese, inovative dhe rezistente ndaj sfidave globale.



