Lajme

Mediat zvicerane: Kosova rrezikon bllokadë të re politike pas zgjedhjeve

Gazetat zvicerane “Neue Zürcher Zeitung” (NZZ) dhe “Tages Anzeiger” i kanë kushtuar vëmendje të veçantë zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, duke vlerësuar se vendi po përballet me një krizë të re politike pavarësisht fitores së Lëvizjes Vetëvendosje.

Sipas NZZ-së, partia e kryeministrit Albin Kurti fitoi zgjedhjet me rreth 43 për qind të votave, por pa siguruar shumicën e nevojshme për të qeverisur e vetme, duke e detyruar të kërkojë partnerë për koalicion.

Gazeta thekson se pjesëmarrja prej vetëm 37 për qind përbën nivelin më të ulët që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, duke reflektuar lodhjen e qytetarëve nga zgjedhjet e shpeshta dhe ngërçet politike.

NZZ paralajmëron gjithashtu se Kosova rrezikon të humbasë fonde milionëshe nga Bashkimi Evropian nëse vonohen reformat dhe krijimi i institucioneve të reja.

Ndërkaq, “Tages Anzeiger” shkruan se votuesit ndëshkuan si pushtetin ashtu edhe opozitën, duke treguar pakënaqësi të përgjithshme me klasën politike.

Gazeta vlerëson se, pavarësisht kritikave për mungesën e reformave në arsim dhe shëndetësi, Kosova mbetet një demokraci funksionale dhe një shembull pozitiv në rajon, pasi zgjedhjet u zhvilluan qetë dhe rezultatet u pranuan nga të gjitha palët politike.