Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj një personi të dyshuar për veprën penale “Asgjësimi i dokumenteve të votimit”.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, i dyshuari A.D., në cilësinë e anëtarit të komisionit zgjedhor, dyshohet se gjatë procesit zgjedhor të 7 qershorit në qendrën e votimit në shkollën “Sharr” në fshatin Jabllanicë të Prizrenit, ka marrë dhe fshehur gjashtë fletëvotime të paplotësuara.
Hetimet paraprake tregojnë se fletëvotimet ishin shkëputur nga blloku i votimit me qëllim të pengimit të zhvillimit të rregullt të procesit zgjedhor dhe cenimit të shprehjes së lirë të vullnetit të qytetarëve.
Prokuroria ka theksuar se mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor dhe se, në bashkëpunim me organet e rendit, do të vazhdojë ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe procedurale në përputhje me ligjin.



