Ka nisur sot procesi i verifikimit dhe numërimit të votave të kandidatëve për deputetë, ka njoftuar zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi.
Sipas tij, procesi ka filluar në 15 Qendra Komunale të Numërimit (QKN), përfshirë Leposaviqin, Novobërdën, Obiliqin, Shtimen, Shtërpcën, Zubin Potokun, Zveçanin, Junikun, Mamushën, Hanin e Elezit, Graçanicën, Ranillugun, Parteshin, Kllokotin dhe Mitrovicën e Veriut.
Elezi bëri të ditur se gjatë ditës procesi do të nisë edhe në 23 komuna të tjera, ndërsa numërimi do të zhvillohet në dy orare pune.
Për realizimin e këtij procesi janë angazhuar mbi 2,200 anëtarë në kuadër të 508 ekipeve të numërimit.
Ai theksoi se procesi do të zhvillohet me transparencë të plotë dhe rezultatet për kandidatët do të publikohen në mënyrë progresive në platformën zyrtare të KQZ-së, vendvotim pas vendvotimi.
Sipas KQZ-së, përfundimi i numërimit nuk do të ndodhë njëkohësisht në të gjitha komunat, pasi kjo varet nga numri i vendvotimeve dhe kapacitetet e ekipeve numëruese në secilën qendër.



