Kryetari i Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, ka falënderuar qytetarët për pjesëmarrjen në zgjedhje, duke vlerësuar procesin si të dinjitetshëm dhe të civilizuar.
Në një konferencë për media, Hamza tha se pret që PDK-ja të ketë më shumë deputetë sesa në mandatin e kaluar, megjithëse theksoi se duhet pritur përfundimi i plotë i procesit të numërimit.
“Pres që numri i deputetëve të jetë pak më i madh sesa në mandatin paraprak. Aktualisht janë 24 deputetë, por po presim përfundimin e procesit zgjedhor”, deklaroi ai.
Hamza vlerësoi se zgjedhjet kanë qenë të lira, por jo plotësisht të drejta, duke akuzuar pushtetin për përdorim të parasë publike gjatë periudhës zgjedhore.
Ai komentoi edhe daljen e ulët të qytetarëve në votime, duke thënë se ky është një mesazh për të gjitha partitë politike dhe se qytetarët kërkojnë stabilitet politik e institucional, si dhe fokus më të madh në përmirësimin e jetës dhe standardit të tyre.



