Vjosa Osmani ka falënderuar qytetarët që mbështetën Lidhja Demokratike e Kosovës në zgjedhjet e 7 qershorit, duke theksuar se rezultati i partisë nuk përfaqëson fundin e një gare, por vazhdimin e një misioni politik.
Në një reagim publik, Osmani tha se pjesëmarrja e saj në zgjedhje kishte për qëllim të ndihmonte në ringritjen e LDK-së dhe në krijimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja.
Ajo ritheksoi se emri i saj nuk do të jetë pengesë për arritjen e marrëveshjeve politike dhe formimin e institucioneve.
“Emri im as nuk ka qenë, as nuk është e as nuk do të bëhet pengesë në krijimin e institucioneve. Përkundrazi, i gjithë kontributi im do të jetë i fokusuar vetëm në daljen nga kriza dhe ndërtimin e institucioneve që mbrojnë shtetin, demokracinë, kushtetutën dhe aleancat”, ka deklaruar Osmani.
Ajo shtoi se rrugëtimi politik me LDK-në do të vazhdojë, duke theksuar se synimi mbetet forcimi i demokracisë dhe avancimi i interesave të qytetarëve të Kosovës.



