Komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ka bërë thirrje për unitet politik dhe kompromis në Kosovë, duke theksuar se stabiliteti institucional është i domosdoshëm për avancimin e vendit drejt Bashkimit Evropian.
Ajo ka uruar Albin Kurtin për fitoren në zgjedhjet e së dielës dhe është bërë zyrtarja e parë nga Brukseli që ka reaguar pas procesit zgjedhor në Kosovë.
Kos ka shprehur gatishmërinë për të intensifikuar bashkëpunimin me Kosovën në procesin e integrimit evropian dhe në zbatimin e Planit të Rritjes.
“Pres me padurim të kthehem në Kosovë sa më shpejt që të jetë e mundur për të intensifikuar punën për integrimin evropian të Kosovës dhe për të vazhduar angazhimin lidhur me financimin në kuadër të Planit të Rritjes”, ka deklaruar ajo.



