Hapësirat e parkingut që menaxhohen nga ndërmarrja publike “Prishtina Parking” mund të kenë së shpejti tarifa të reja. Komuna e Prishtinës është duke punuar në plotësim-ndryshimin e Rregullores për Organizimin dhe Menaxhimin e Parkingjeve, pas vendimit të vitit të kaluar nga Gjykata Supreme.
Drejtori për Zhvillim Ekonomik dhe Inovacion në Komunën e Prishtinës, Luftar Braha, ka deklaruar për Ekonomia Online se institucionet komunale po punojnë intensivisht për lirimin e trotuareve dhe krijimin e alternativave të reja për parkim.
“Jemi duke punuar shumë për lirimin e trotuareve dhe për ofrimin e opsioneve të reja për parkim. Në këtë fazë po bashkëpunojmë edhe me investitorë privatë për ndërtimin e parkingjeve të reja nëntokësore. Njëkohësisht po punojmë në rregulloren e ‘Prishtina Parkingut’, duke marrë parasysh të gjitha vërejtjet dhe verdiktet e vendimit të Gjykatës Supreme. Me plotësim-ndryshimin e rregullores besojmë se do të mund të funksionalizojmë më mirë sistemin dhe të rivlerësojmë çmimet aktuale të parkingut në qytet”, ka thënë Braha.
Sipas tij, ende nuk është përcaktuar niveli i mundshëm i rritjes së çmimeve, pasi kjo do të trajtohet në procesin e dëgjimit publik.
“Aktualisht çmimet janë një euro për orë në zonën qendrore dhe 50 centë në zonën e dytë. Megjithatë, nuk ka parking privat në Prishtinë që kushton më pak se dy euro për orë. Edhe në qytete të tjera, si Prizreni, çmimet janë më të larta. Prandaj, është pak paradoksale që në qendër të Prishtinës tarifa të jetë vetëm një euro për orë”, ka deklaruar ai.
Braha ka bërë të ditur se Komuna po punon paralelisht edhe në rregulloren për shërbimin e “merimangës”, duke paralajmëruar shtimin e numrit të automjeteve për largimin e veturave të parkuara në kundërshtim me rregullat.
“Po pritet të ketë shtrenjtim, por niveli i tij do të përcaktohet pas analizave ekonomike dhe vlerësimit të ndikimit në jetën e qytetarëve. Ndikimi në trafik dhe lëvizje do të jetë i konsiderueshëm. Po ashtu, po punojmë që masat ndëshkuese të jenë në përputhje me ligjin dhe të mos rrëzohen nga Gjykata Kushtetuese. Shumë shpejt do të ketë më shumë ‘merimanga’ dhe më shumë vetura të larguara nga hapësirat publike, me qëllim që trotuaret të jenë më të lira dhe lëvizja e qytetarëve, veçanërisht e personave me nevoja të veçanta, të jetë më e sigurt”, ka shtuar ai.
Sa i përket gjobave, Braha ka sqaruar se ndërmarrja “Prishtina Parking” nuk ka kompetenca për shqiptimin e tyre.
“Gjykata Supreme e ka bërë të qartë se gjobat mund të shqiptohen vetëm nga Inspeksioni dhe Policia e Kosovës. ‘Prishtina Parking’ do të ketë rol asistues, si në bllokimin e automjeteve ashtu edhe në largimin e tyre”, ka theksuar Braha.
Kujtojmë se më 8 maj 2025, Gjykata Supreme e Kosovës e shpalli pjesërisht të paligjshme Rregulloren e Komunës së Prishtinës për Organizimin dhe Shfrytëzimin e Parkingjeve, duke detyruar komunën të bëjë ndryshimet e nevojshme ligjore.
Burimi: Ekonomia Online.



