Komisioni Evropian pritet ta publikojë të mërkurën, më 4 nëntor, raportin vjetor të progresit së bashku me paketën e zgjerimit. Sipas versioneve draft të dokumenteve, Kosova është ndër vendet që nuk kanë shënuar progres ose kanë shënuar vetëm progres të kufizuar në shumicën e fushave.
Si arsye kryesore të mungesës së progresit përmenden kriza politike dhe mungesa e një parlamenti funksional, të cilat kanë penguar punën e Qeverisë, si dhe ndikimi i grupeve të interesit mbi gjyqësorin dhe prokurorinë.
Këtë vit, për herë të parë, raporti për Kosovën do të vlerësojë edhe përputhjen me politikën e jashtme të BE-së, sipas Kapitullit 31, njëlloj si për vendet e tjera në procesin e zgjerimit. Komisioni pritet ta përshëndesë përputhjen e plotë të Kosovës në këtë fushë.
Një pjesë e rëndësishme e raportit i kushtohet normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë dhe detyrimeve që dalin nga dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja. Për shkak të zhvillimeve politike në të dyja vendet, progresi në zbatimin e tyre është i pamjaftueshëm. Raporti thekson se normalizimi mbetet kusht që të dyja palët të avancojnë drejt anëtarësimit në BE dhe se mungesa e progresit ka kosto ekonomike.
Krahas raporteve, Komisioni pritet të publikojë edhe një hartë rruge me afate konkrete për vendet më të avancuara: Malin e Zi, Shqipërinë, Moldavinë dhe Ukrainën. Kosova, bashkë me Maqedoninë e Veriut, Bosnjën dhe Hercegovinën, Serbinë, Gjeorgjinë dhe Turqinë, mbetet ende shumë prapa.
Burimi: Euronews Albania (sipas draftit, 30 tetor 2026)



