Shëndetësi

Mjekët e rinj protestojnë para MSH-së: 650 mjekë janë larguar, 534 janë të papunë

Mjekët e rinj protestuan të shtunën para Ministrisë së Shëndetësisë në Prishtinë, duke kërkuar mundësi reale punësimi, konkurse të rregullta e transparente për specializime dhe pagesë për stazhin gjashtëmujor.

Protesta u organizua nga iniciativa “Për dinjitetin e profesionistëve shëndetësorë”. Në emër të tyre foli Besfort Racaj, student i vitit të fundit të Mjekësisë, i cili tha se të rinjtë nuk kërkojnë privilegje, por një arsye për të qëndruar në Kosovë.

Racaj i kundërshtoi shifrat e kryeministrit Kurti për 171 mjekë të kthyer, duke thënë se gjatë viteve 2021–2026 kanë emigruar 650 mjekë, ndërsa 534 doktorë janë të papunë. Sipas tij, vetëm 110 vende specializimi janë hapur për mbi 1.000 mjekë të përgjithshëm që presin.

Protestuesit kërkuan edhe ndryshimin e udhëzimit administrativ për vlerësimin e kandidatëve për specializime. Në protestë mori pjesë edhe deputetja e LDK-së, Albena Reshitaj.

Burimi: Gazeta Express, Ekonomia Online