Gjykata refuzon kërkesën e Besim Kelmendit për masë sigurie dhe rikthim në detyrë
Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, ka refuzuar kërkesën e Besim Kelmendit për caktimin e masës së përkohshme të sigurisë dhe pezullimin e vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), me të cilin ai ishte shkarkuar nga pozita e Ushtruesit të Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.
Vendimi është marrë më 4 dhjetor nga gjyqtarja Valbona Gjonbalaj, e cila ka konstatuar se nuk janë përmbushur kushtet ligjore për masë të përkohshme. Përmes avokatit të tij, Kelmendi kishte kërkuar pezullimin e vendimit të KPK-së dhe rikthimin në detyrë, deri në vendimin përfundimtar të gjykatës.
Gjykata ka vlerësuar se detyra e U.D. Kryeprokurorit është funksion i përkohshëm dhe mungon dëmi i pakthyeshëm që do të arsyetonte masën e sigurisë, ndërsa pezullimi i vendimit do të cenonte interesin publik dhe stabilitetin institucional.
Palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit brenda 7 ditësh.