Lajme

Haxhiu: Byroja për verifikimin e pasurisë do t’i kontrollojë zyrtarët edhe pas mandatit

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka thënë në një intervistë për RTK-në se Byroja për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikuar do t’i verifikojë pasuritë e zyrtarëve publikë, përfshirë ato që mund të jenë transferuar te persona të tretë.

Sipas saj, kur pasuria nuk mund të justifikohet me të ardhura, Byroja do t’i kërkojë gjykatës konfiskimin e saj. Byroja nuk mund të konfiskojë vetë, vendimin përfundimtar e merr gjykata. Haxhiu e quajti ligjin një nga mjetet më të rëndësishme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Verifikimi mund të nisë nga deklarimet e pasurisë, me iniciativë të vetë Byrosë ose pas kallëzimeve nga institucione, palë të treta apo qytetarë. Ligji vlen për zyrtarët edhe pas përfundimit të mandatit dhe nuk synon të gjithë qytetarët, por vetëm zyrtarët e dyshuar për pasuri të pajustifikueshme të krijuar duke abuzuar me pozitën.

Para se presidentja ta shpallë ligjin, ka afat tetëditor brenda të cilit deputetët dhe palët e autorizuara mund ta çojnë në Gjykatën Kushtetuese. Pas hyrjes në fuqi, Kuvendi do ta zgjedhë drejtorin e Byrosë.

Burimi: Bota Sot