Ekonomi

Qeveria e Kosovës miraton buxhetin e vitit 2027 prej 4,27 miliardë eurosh

Qeveria e Kosovës ka miratuar të hënën projektbuxhetin për vitin 2027, në vlerë prej 4,27 miliardë eurosh. Sipas njoftimit, buxheti i vitit të ardhshëm është për rreth 300 milionë euro më i lartë se buxheti bazë i këtij viti.

Kryeministri Albin Kurti tha në mbledhjen e nëntë të Qeverisë se projektbuxheti parasheh rritjen e koeficientit të pagave nga 110 në 120 euro, duke filluar nga 1 korriku i vitit 2027. Përveç kësaj, punonjësit e sektorit publik do të marrin edhe pagën e 13-të, e cila pritet të paguhet gjatë gjysmës së parë të vitit.

Fondi total i pagave arrin në 1,085 miliardë euro. Sipas Kurtit, nëse ky fond ndahet mes rreth 85 mijë punonjësve të sektorit publik, paga mesatare bruto vjetore kalon 12 mijë euro, ose mbi 1.000 euro bruto në muaj. Ai shtoi se rritjet e pagave do të vazhdojnë edhe në vitet në vijim.

Projektbuxheti pritet të votohet në Kuvendin e Kosovës.

Burimi: Euronews Albania