Erërat e fuqishme që përfshinë Kosovën mbrëmë shkaktuan dëme materiale në disa komuna dhe ndërprerje të energjisë elektrike.
Më e prekura ishte Ferizaj, ku me kërkesë të Policisë u ndërpre furnizimi me rrymë për sigurinë e qytetarëve. Policia raportoi edhe për një person të lënduar dhe dëme në biznese, ndërtesa publike e automjete.
Sipas KEDS-it, problemet më të mëdha në rrjet u shënuan në Ferizaj, Gjilan, Prizren dhe Prishtinë, ndërsa qindra ekipe janë në terren për riparimin e defekteve. Ndërprerje pati edhe në pjesë të Lipjanit.
Në Prishtinë u dëmtuan kulme e dritare në disa lagje, në Krushë të Madhe llamarinat e një kulmi përfunduan në rrugën Gjakovë–Prizren, ndërsa në Vragoli era rrëzoi një ndriçues në magjistralen Prishtinë–Pejë.
Burimi: Gazeta Express


