Një gjykatë në Beograd ka caktuar një muaj paraburgim për Avni Qenajn, shtetas i Kosovës dhe veteran i UÇK-së, i arrestuar më 25 nëntor në pikëkalimin Merdare, nën dyshimet për krime lufte të vitit 1999, njoftoi Ministria e Jashtme e Kosovës.
Sipas Ministrisë, autoritetet serbe kanë hapur procedurë penale ndaj tij, ndërsa Prishtina e cilëson arrestimin si vazhdimësi të ndjekjeve politike të Serbisë ndaj qytetarëve të Kosovës.
Shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi, Jetish Jashari, e ka vizituar Qenajn në paraburgim. Qenaj ka deklaruar se ndaj tij është ushtruar presion psikologjik gjatë arrestimit, por jo dhunë fizike. Ai pritet të vizitohet së shpejti nga familjarët, të cilët kanë angazhuar katër avokatë.
Qenaj, nga Romaja e Prizrenit, kishte shërbyer në brigadën 138 “Agim Ramadani” në Koshare. Serbia dyshon se ai ka marrë pjesë në sulmin ndaj postbllokut kufitar në Koshare në vitin 1999.
Vitet e fundit, disa shtetas të Kosovës janë arrestuar në Serbi me akuza për krime lufte të kohës së konfliktit.