E ky Schatzi, a ka pikë prej qiellit a?
A ju kujtohet ajo kënga e Rrahim Strujës:
«Hej Shatzi, mirë se ke ardhë, sa mirë po të rrinë pantollat e bardhë?»
Një refren shumë i thjeshtë por me domethënie shumë sociologjike.
Nuk ishin problem pantollonat, por përmes pantollave të bardha, populli e ka «analizuar» se sa kilometra kulturë ka sjellë mërgimtari me vete.
Jo pa arsye, pantollat e bardha kanë qenë matës i sjelljes sociale të mërgimtarëve: Nëse të rrinë shumë mirë- po lavdërohesh. Nëse të rrinë shumë keq- nuk ke shije.
Por të mos e rrotullojmë shumë: nuk kanë faj pantollat. As Zvicra. As Gjermania. As Norvegjia. As aeroporti.
Kjo punë nuk ka të bëj me stil. Ka të bëj me karakter.
Dhe menjëherë nis dilema kombëtare: pse disa mërgimtarë kthehen me kulturë, maturi, sjellje evropiane, me ide të reja, kurse disa të tjerë kthehen si një orë e ndalur?
Përgjigjja është shumë e thjeshtë:
Njeriu shkon jashtë me vlerat që ka. Nuk i ndërron aeroporti.
Nëse njeriu ka pasur edukatë këtu, nuk e humb atje.
Nëse ka pasur kulturë leximi këtu, ka edhe atje.
Nëse ka pasur sjellje të mira, jeta jashtë i bën më të dukshme, jo të reja.
Nëse ka pasur talent, mjedisi i ri e ushqen, e zgjeron, e kultivon.
Por, me gjithë respektin, nëse dikush ka shkuar me zero edukatë, zero komunikim, zero vetëdisiplinë, diaspora nuk ia ndërron sjelljen. Maksimumi ia ndërron xhepin.
Pra ndryshimi i karakterit nuk vjen prej vendit të huaj. Vjen prej bagazhit të brendshëm.
Disa kanë shkuar jashtë me kulturë të lartë, disave i ka munguar.
Sociologu i njohur Pierre Bourdieu thoshte se njeriu bart me vete një gjë të padukshme, një makinë të brendshme që udhëheq sjelljet. Kjo «makinë» thirret habitus.
Habitus është si «motori i shpirtit», nëse ta kanë montuar mirë në fëmijëri, ecë mirë edhe në Gjermani, edhe në Norvegji.
Nëse s’ta kanë montuar mirë, edhe Tesla me vozitë, përsëri lëviz si traktor.
Mërgimtari nuk «shëndrrohet në racë tjetër». Siç e thekson sociologia gjermane Nina Glick Schiller, mërgimtari mbetet vazhdim i shoqërisë ku është formuar. Ndryshon vendi, jo programi i brendshëm.
Nëse njeriu ka qenë i hapur, hapet më shumë.
Nëse ka qenë i mbyllur, mbyllet më shumë.
Nëse ka qenë i mençur, diaspora i jep terren.
Nëse ka qenë me sjellje të çrregullta, diaspora nuk ia ndreq, vetëm ia qet në pah.
Pra Shatzi, nëse duket më i «zhvilluar» zakonisht është sepse ka pasur material për t’u zhvilluar.
Diaspora është si serra: rritet vetëm ajo bimë që ka rrënjë.
E nëse dikush kthehet njësoj si kur ka dalë jashtë, kjo nuk është tragjedi. Është thjesht statistikë sociologjike.
Kështu që pantollat e bardha nuk janë problem.
As diaspora.
As Rrahim Struja.
Problemi, ose fati është «habitusi», ai që ndjek njeriun si hije, pavarësisht se ku shkon.
Prandaj kur i kthehemi refrenit të famshëm, ai befas nuk tingëllon si tallje.
Tingëllon si një analizë shoqërore e bërë me ritëm:
Njeriu nuk ka rënë prej qiellit.
Njeriu ka ardhur me bagazhin që e ka pasur dhe diaspora vetëm ia ka rritur ose ia ka zbuluar atë bagazh.
Dhe këtë e kupton më së miri vetëm kur e sheh Shatzin duke u nisur për vendlindje:
pantollat ndryshojnë çdo vit. «Habitusi» kurrë.
Përgatiti Mekulipress