Ushtarët malazezë të arrestuar në Kosovë: Krivokapiq u dënua disiplinarisht, Llallatoviq la ushtrinë
Ushtari malazez Rajko Krivokapiq është ndëshkuar disiplinarisht për shkuarjen në Kosovë në nëntor të vitit të kaluar pa dijeninë e eprorëve të tij, ku u arrestua pasi kishte vendosur në targa mbishkrimin “Kosova është Serbi”.
Ministria e Mbrojtjes e Malit të Zi ka konfirmuar për gazetën “Vijesti” se procedura disiplinore ndaj shoqëruesit të tij, Dragutin Llallatoviq, u pezullua, pasi ky i fundit ndërpreu shërbimin e tij në Ushtrinë e Malit të Zi me kërkesën personale.
Sipas Ministrisë, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të VCG-së mori vendim për ndëshkimin e Krivokapiqit duke u bazuar në rrethanat lehtësuese dhe rënduese, ndërsa ende nuk është bërë publike forma e saktë e dënimit. Një burim për “Vijesti” tha se ai “ndoshta është gjobitur”.
Krivokapiq dhe Llallatoviq, së bashku me Marinko Jovanoviqin, u arrestuan më 24 nëntor 2024 pranë Manastirit të Deçanit për shkak të targave me mbishkrimin “Kosova është Serbi”. Ata u mbajtën 55 ditë në paraburgim, derisa Prokuroria Speciale e Kosovës pezulloi hetimet ndaj tyre.