Dimal Basha reagon për pamfletin e vitit 2012: Kam shkruar vetëm kapitullin për islamin fundamentalist, UÇK-në e çmoj lart
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka reaguar lidhur me një pamflet të vitit 2012, i cilësuar si anti-UÇK, ku ai figuron si bashkautor.
Basha ka thënë se autorësia e tij lidhet vetëm me kapitullin e tretë, që trajton depërtimin e islamit fundamentalist në Evropën Juglindore, dhe se nuk ka shkruar asnjëherë kundër UÇK-së.
“Punimi që po qarkullon në media është i vitit 2012, kur unë isha student. Autorësia ime i përket vetëm Kapitullit 3, i cili trajton depërtimin e islamit fundamentalist në Evropën Juglindore, me fokus Kosovën. Këtu përfundon përgjegjësia ime”, ka deklaruar ai.
Sipas Bashës, këtë e ka sqaruar edhe autorja tjetër e punimit, Jana Arsovska, e cila në një email demantues ka konfirmuar se Basha ka dorëzuar për publikim vetëm kapitullin e tretë.
“Unë, Dimal Basha, e çmoj lart luftën e UÇK-së dhe sakrificën e popullit tonë për liri. Nga goja dhe duart e mia nuk është shkruar dhe nuk do të gjendet asnjë përmbajtje që bie ndesh me këtë vlerë të shenjtë të popullit tonë”, theksoi ai.
Në fund, ai u kërkoi falje qytetarëve për shqetësimin e shkaktuar nga, siç tha ai, raportimet e pavërteta, duke i bërë thirrje mediave të raportojnë drejt dhe saktë për tema kaq të ndjeshme.