Trump paralajmëron “luftë ekonomike” ndaj Rusisë, por fajëson edhe Kievin
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka hedhur poshtë mundësinë e një takimi të shpejtë mes udhëheqësve rusë dhe ukrainas, duke paralajmëruar ndërkohë masa të reja ekonomike ndaj Moskës.
“Unë dua që lufta të përfundojë. Nuk do të jetë një luftë botërore, por një luftë ekonomike, e cila do të jetë e keqe për Rusinë, dhe unë nuk e dua këtë”, tha Trump nga Shtëpia e Bardhë.
Ai shtoi se në shumë raste është vetë Rusia që tregon gatishmëri për paqe, ndërsa sipas tij presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky “nuk është plotësisht i pafajshëm”. Trump madje la të kuptohej se mund të vendosë masa edhe ndaj Kievit.
“Nëse mund t’i shpëtoj mijëra jetë përmes sanksioneve ndaj Rusisë ose Ukrainës apo kujtdo tjetër, unë do ta bëj”, theksoi ai.
Trump kujtoi se aktualisht SHBA nuk i jep fonde të drejtpërdrejta Ukrainës, duke kërkuar që pjesën më të madhe të barrës ta mbajë Evropa.
Ndërkohë, Rusia ka intensifikuar ofensivat në lindje të Ukrainës, teksa Kievi vazhdon të kërkojë me urgjencë më shumë armë nga Perëndimi.