Pesë kandidatë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë dështuar deri tani në garën për kryeparlamentar.
Pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi është mbledhur tri herë për të zgjedhur kryetarin, por asnjë prej emrave të propozuar nga LVV nuk arriti të sigurojë shumicën e nevojshme. Deri tani janë hedhur në votim: Albulena Haxhiu, Donika Gërvalla, Hekuran Murati, Arbërie Nagavci dhe Dimal Basha.
Votimi për Bashën ishte më i komentuari, pasi Partia Demokratike e Kosovës kishte premtuar publikisht se do ta mbështeste çdo kandidat që nuk ka qenë pjesë e Qeverisë Kurti. Megjithatë, në momentin vendimtar, PDK abstenoi. Kryetari i saj, Memli Krasniqi, u arsyetua se kishin kërkuar kohë shtesë për konsultime, ndërsa nga Vetëvendosje kjo u interpretua si dëshmi se PDK nuk dëshiron konstituimin e Kuvendit.
Seanca e radhës është thirrur sot (e martë) në orën 11:00. Deri më tani, LVV nuk ka bërë publik ndonjë emër të ri, ndërsa nga PDK nuk është treguar se si do të veprojnë në rast se paraqitet ndonjë “befasi”.
Ndërkohë, LDK ka konfirmuar se nuk do të votojë për asnjë kandidat pa një marrëveshje politike, kurse AAK ka shprehur gatishmëri të mbështesë Glauk Konjufcën, Shqipe Selimin ose Saranda Bogujevcin. Sa i përket Nismës, tre deputetët e saj kanë abstenuar vazhdimisht.
Aktgjykimi i fundit i Kushtetueses, i publikuar më 19 gusht, i obligon deputetët që ta përfundojnë procesin e konstituimit të Kuvendit brenda 30 ditësh. Sipas vendimit, votimi për kryeparlamentarin duhet të zhvillohet hapur dhe i njëjti kandidat nuk mund të propozohet më shumë se tre herë radhazi.