Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe zëvendësministri në detyrë i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, kanë ndarë me qytetarët pamje të para – fotografi dhe video – nga ura e re mbi lumin Ibër në Mitrovicë, duke e uruar publikisht hapjen e saj.
Në pamjet e publikuara, përveç automjeteve që tashmë kanë kaluar mbi urë, shihet edhe prania e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, e cila ka tërhequr vëmendje.
Sveçla uroi qytetarët me një mesazh të shkurtër në Facebook:
“Të dashur qytetarë të Mitrovicës dhe gjithë Kosovës, urime ura e re.”
Ndërkohë, zëvendësdrejtori i Policisë në veri, Veton Elshani, ka sqaruar se prania e forcave policore është masë parandaluese dhe ngritje e vigjilencës për sigurinë, duke e quajtur këtë një praktikë normale në atë pjesë të vendit.
“Elshani theksoi se deri më 1 shtator, kur është paralajmëruar promovimi zyrtar i urës, policia do të jetë aty për çdo eventualitet. ‘Në veri jemi mësuar me situata që për dikë duken të jashtëzakonshme – si hedhja e ndonjë bombe apo eksplozivi – ndaj marrim masa që të mos na zënë në befasi’, tha ai për RTV Dukagjini.”