Duke folur të martën në Rigë të Letonisë, përkrah presidentit letonez, Edgars Rinkeviç, Osmani e hodhi poshtë nocionin e “tensioneve” mes Kosovës dhe Serbisë, duke e paraqitur situatën si agresion nga njëra palë dhe vetëmbrojtje nga tjetra.
“Unë nuk do t’i quaja tensione mes Kosovës dhe Serbisë, sepse ne përpiqemi të mos biem në kurthin e barazimit të të dyja palëve”, tha Osmani, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari se cili është roli i Rusisë në tensionet dhe përshkallëzimet mes Kosovës dhe Serbisë.
“Ne nuk duhet ta fusim kurrë agresorin dhe viktimën në të njëjtin thes. Serbia përpiqet vazhdimisht ta destabilizojë vendin tonë, përfshirë përmes akteve të agresionit, ndërsa ne mbrohemi vazhdimisht,” tha Osmani.
“Ne kurrë nuk kemi pushtuar ose sulmuar, madje as edhe një centimetër të territorit të ndonjë fqinji. Ajo çfarë kemi bërë gjithmonë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë, është ta mbrojmë pavarësinë tonë, ta mbrojmë integritetin tonë territorial, ta mbrojmë paqen dhe lirinë, që janë fituar me shumë sakrificë”, tha presidentja e Kosovës.
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, deklaroi se politika që po ndjek Kosova është “kërcënimi më i madh për stabilitetin në rajon”.
“Të gjitha përpjekjet e (presidentes së Kosovës) Vjosa Osmani për ta zhvendosur barrën e përgjegjësisë për situatën aktuale në Kosovë te Beogradi, përmes shtrembërimit të fakteve, përbëjnë cinizmin më të madh dhe një viktimizim të rremë”, tha Petkoviq.
Ai gjithashtu e akuzoi kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, se “për vite me radhë po ushtron një regjim frike” dhe se Prishtina “deri më sot nuk ka pranuar të marrë pjesë në asnjë iniciativë që ka
për qëllim lehtësimin e marrëdhënieve në rajon”.
Ditëve të fundit, Osmani foli në disa raste për përshkallëzimin e mundshëm të situatës nga Serbia në Kosovë.
Gjatë një ligjërate në Uashington më 10 korrik, Osmani tha se presidenti amerikan, Donald Trump, ka parandaluar së voni mundësinë e një përshkallëzimi të mundshëm të situatës nga Serbia në Kosovë.
Ajo tha se ka “informacione të besueshme” se bëhet fjalë “për zhvillime shumë, shumë të vona”.