Gjykata urdhëron ekzaminim psikiatrik për Naim Murselin – Mbrojtja: Nuk ka prova për fajësinë
Në seancën gjyqësore ndaj të akuzuarve Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla për vrasjen e Liridona Ademajt, mbrojtja hodhi poshtë akuzat e Prokurorisë, duke pretenduar mungesë të provave të drejtpërdrejta.
Avokatja e Murselit, Teutë Zhinipotoku, deklaroi se klienti i saj është deklaruar i pafajshëm që nga fillimi dhe ka bashkëpunuar me drejtësinë. Ajo tha se Prokuroria nuk ka paraqitur prova bindëse që e lidhin atë me veprën penale dhe kërkoi ekzaminim psikiatrik për të, për të konstatuar nëse është i aftë të ndjekë procesin gjyqësor. Kjo kërkesë, e cila më herët ishte refuzuar në procedurë paraprake, u miratua nga kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dermaku. Ekzaminimi do të bëhet brenda dy javësh në Institutin e Psikiatrisë Forenzike.
Mbrojtja e Granit Plavës theksoi se ai ka pësuar një aksident para ngjarjes tragjike, që ka ndikuar në gjendjen e tij mendore. Po ashtu, avokati i Kushtrim Kokallës deklaroi se ndaj klientit të tij nuk ekzistojnë prova të drejtpërdrejta dhe se Prokuroria po mbështetet në lidhje familjare dhe rrethana të përgjithshme.
Prokurorja nuk e kundërshtoi kërkesën për ekzaminim psikiatrik të Murselit, por e cilësoi si përpjekje për të zvarritur procesin, për shkak të mungesës së dokumentacionit mjekësor.
Seanca do të vazhdojë në korrik, pas përfundimit të ekzaminimit.