Aksioni policor në Kaçanik për rastin e rreshterit Lika, reagon ministri Sveçla

Aksion i gjerë i Njësive Speciale në Kaçanik për vrasjen e rreshterit Muhamed Lika, reagon Sveçla: “0 tolerancë!”

Një aksion i madh policor është duke u zhvilluar që nga mëngjesi i sotëm në Kaçanik, i udhëhequr nga Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës.

Zyrtarë të Policisë kanë konfirmuar se operacioni është i lidhur me rastin e vrasjes së rreshterit të Policisë, Muhamed Lika, i cili u vra në krye të detyrës më herët gjatë këtij viti.

Lidhur me këtë aksion ka reaguar edhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Në një postim në Facebook, ai theksoi se drejtësia është kërkesë e popullit dhe obligim i shtetit.

“Muhamed Lika, familja e tij, Policia e Kosovës, populli dhe shteti kërkojnë dhe meritojnë drejtësi. 0 tolerancë!”, shkroi Sveçla.

Hetimet për zbardhjen e plotë të rastit po vazhdojnë, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se nuk do të ndalen derisa përgjegjësit të dalin para drejtësisë.