Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) ka zhvilluar të hënën një aksion të përbashkët me Policinë e Kosovës, Administratën Tatimore (ATK) dhe ARKEP-in për të monitoruar produktet që shiten online dhe dërgohen te konsumatorët përmes shërbimeve postare.
11 ekipe inspektimi punuan në tetë komunat kryesore. Ata kontrolluan nëse bizneset janë të regjistruara në ARBK, nëse lëshohen kuponë fiskalë dhe nëse produktet kanë deklaratat e origjinës dhe dokumentacionin e kërkuar me ligj.
Sipas rezultateve paraprake, u kryen 23 inspektime, nga të cilat 6 raste janë përfunduar dhe 17 janë ende në procedurë. IQMT tha se aksione të tilla do të vazhdojnë me institucionet partnere, me qëllim garantimin e konkurrencës së ndershme dhe mbrojtjen e konsumatorëve.
Burimi: Bota Sot



