Zogaj i LDK-së: Do të marrim pjesë në seancë, por qëndrimi ynë mbetet i njëjtë

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Zogaj, ka deklaruar se partia e tij do të marrë pjesë në seancën e nesërme të Kuvendit, ku pritet të hidhet për herë të katërt në votim emri i Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit.

Megjithatë, Zogaj ka theksuar se pjesëmarrja e LDK-së nuk nënkupton ndërrim qëndrimi.

“Ne do të jemi prezentë në seancë, por qëndrimi ynë për kandidaturën e Albulena Haxhiut nuk ka ndryshuar. Ne kemi qenë të qartë që në fillim – kjo mënyrë e qasjes dhe mungesa e dialogut nga Vetëvendosje nuk është mënyra e duhur për të ndërtuar institucione funksionale,” tha Zogaj për mediat.

LDK ka qenë kritike ndaj qasjes së VV-së në procesin e konstituimit të Kuvendit dhe ka paralajmëruar kallëzime penale për vendimet që anëtarët e Qeverisë kanë marrë si deputetë pas përfundimit të mandatit më 27 mars.

Seanca e nesërme pritet të jetë vendimtare për fatin e formimit të institucioneve të reja, në një kohë kur gjithnjë e më shumë po përmendet mundësia e zgjedhjeve të reja.