Vërshime në Kosovë, IHMK njofton për rritje të lehtë të niveleve të lumenjve

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se gjatë periudhës 03–08 janar 2026, shumica e lumenjve në Kosovë kanë shkaktuar vërshime dhe përmbytje, ndërsa disa prej tyre kanë arritur nivele që konsiderohen ngjarje të rralla, me përsëritje një herë në 50 vjet.

Sipas institutit, në disa segmente lumenjtë kanë dalë nga shtrati, duke shkaktuar dëme në zonat përreth dhe duke rrezikuar sipërfaqe të banuara dhe bujqësore.

“Në gjendjen aktuale, pjesa më e madhe e lumenjve në Kosovë është në rënje të lehtë të nivelit, përjashtuar Drinin e Bardhë (rrjedha e poshtme), Sitnicën, Moravën e Binçës dhe Lepenacin, të cilët vazhdojnë të shënojnë ngritje të lehtë”, thuhet në njoftimin e IHK-së.

Gjatë kësaj periudhe, reshjet mesatare në territorin e Kosovës kanë arritur 97.1 mm për metër katror, duke ndikuar drejtpërdrejt në krijimin e situatës së përmbytjeve dhe vërshimeve.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës bën të ditur se situata po monitorohet vazhdimisht, ndërsa qytetarët ftohen të tregojnë kujdes të shtuar pranë lumenjve dhe zonave të prekura nga përmbytjet.